Ndihmë
Pyetje të shpeshta
61 përgjigje për gjithçka që na pyesin më shpesh — nga hapja e llogarisë te paketat e promovimit. Nëse s’e gjen atë që kërkon, suporti të përgjigjet te një tiketë.
Llogaria
Regjistrimi, hyrja, fjalëkalimi dhe të dhënat e profilit.
Si hap një llogari?
Te faqja e regjistrimit duhen katër gjëra: emri yt i plotë (2–60 shkronja), email-i, fjalëkalimi i shkruar dy herë dhe pranimi i kushteve të përdorimit. Pa shenjën te «Pranoj kushtet e përdorimit» butoni nuk aktivizohet.
Alternativa më e shpejtë është «Vazhdo me Google» ose «Vazhdo me Facebook» — të njëjtat butona gjenden edhe te faqja e hyrjes.
Çfarë kushtesh duhet të plotësojë fjalëkalimi?
Së paku 8 karaktere (dhe jo më shumë se 72), me të paktën një shkronjë dhe një numër. Shkronjat e mëdha ose simbolet nuk janë të detyrueshme — treguesi i fortësisë poshtë fushës është vetëm këshillues.
Pse nuk hyj dot menjëherë pasi regjistrohem?
Sepse email-i duhet konfirmuar. Pas regjistrimit del ekrani «Kontrollo email-in» dhe llogaria hapet vetëm kur shtyp lidhjen që të dërgojmë. Nëse nuk e sheh mesazhin brenda pak minutash, shiko dosjen Spam.
I njëjti ekran del edhe kur email-i ka tashmë një llogari. Këtë e bëjmë me qëllim: forma nuk tregon kurrë nëse një adresë është e regjistruar apo jo.
A mund të shpall pa hapur llogari?
Po. Te faqja e shpalljes zgjidh «Vazhdo si guest», shkruaj email-in dhe të dërgojmë një lidhje hyrjeje. Kjo lidhje krijon një llogari të vërtetë dhe të kthen te formulari aty ku e le.
Llogaritë e hapura kështu nuk kanë fjalëkalim. Për t'i vënë një, përdor «E harrove fjalëkalimin?» te faqja e hyrjes.
Si e ndryshoj fjalëkalimin?
Përmes lidhjes «E harrove?» te faqja e hyrjes. Shkruan email-in, merr një lidhje dhe cakton fjalëkalimin e ri — rregullat janë të njëjtat si te regjistrimi.
Te Cilësimet nuk ka ende fushë për fjalëkalimin; rruga e mësipërme është e vetmja.
Si e ndryshoj emrin e përdoruesit?
Te Profili → Cilësimet. Lejohen 3–24 karaktere, vetëm shkronja të vogla, numra, pikë dhe nënvizë — pa hapësira, pa shkronja të mëdha dhe pa vizë. Nëse emri është i zënë, ruajtja dështon me një njoftim të qartë.
Emri i përdoruesit është edhe adresa e profilit publik. Sapo e ndryshon, lidhjet e vjetra te profili yt nuk punojnë më.
Nga vjen emri i përdoruesit që më doli automatikisht?
Gjenerohet në çastin e regjistrimit nga pjesa e email-it para shenjës @, plus një nënvizë dhe gjashtë shenja të identifikuesit tënd. Ndryshoje kur të duash te Cilësimet.
Si e vendos ose e heq foton e profilit?
Te Profili → Cilësimet. Fotoja pranohet deri në 15 MB, kthehet automatikisht në WebP dhe zvogëlohet para se të ngarkohet. Pa foto shfaqen inicialet e tua.
Kur hyn me Google ose Facebook, fotoja e atij llogarie nuk merret — ngarkoje vetë nëse e do.
A mund ta ndryshoj email-in e llogarisë?
Jo vetë — ndryshimi bëhet nga ekipi. Hap një tiketë ndihme nga llogaria jote aktuale dhe shkruaj adresën e re.
Si e fshij llogarinë time?
Kërkoje me një tiketë ndihme. Fshirja heq edhe shpalljet, bisedat dhe të preferuarat e lidhura me llogarinë, prandaj nuk e kemi vënë si buton të vetëshërbimit.
A e sheh dikush numrin tim të telefonit te profili?
Jo. Numri që ruan te Cilësimet nuk shfaqet askund te profili publik — përdoret vetëm për të parambushur fushën e kontaktit kur shpall diçka të re.
Numri i shfaqur te një shpallje është një kopje e marrë në çastin e publikimit. Nëse e ndryshon numrin te Cilësimet, shpalljet e vjetra mbajnë atë të mëparshmin — ndryshoji një nga një.
Shpallja
Publikimi, fotot, çmimi, statuset dhe ndryshimet.
Sa kushton të shpallësh?
Asgjë. Shpallja është falas dhe nuk marrim komision mbi shitjen. Me pagesë janë vetëm paketat e promovimit, që i zgjedh vetë kur do më shumë dukshmëri.
Si publikohet një shpallje?
Në pesë hapa: Kategoria → Detajet → Fotot → Çmimi → Kontakti. Çdo hap kontrollohet para se të kalosh te tjetri, ndërsa kthimi pas është gjithmonë i lirë. Në fund del një përmbledhje me kategorinë, titullin, çmimin, numrin e fotove dhe qytetin.
Cilat fusha janë të detyrueshme?
- Titulli — 6 deri 120 karaktere.
- Përshkrimi — 20 deri 8000 karaktere.
- Nënkategoria — kategoria kryesore nuk mjafton.
- Lloji i çmimit, monedha dhe çmimi (përveç «Falas» dhe «Me kërkesë»).
- Qyteti — nga lista e 38 komunave të Kosovës.
Gjendja, sipërfaqja, telefoni, fotot dhe të gjitha fushat e veçanta të kategorisë janë opsionale.
Sa foto mund të ngarkoj?
Deri në 12 për shpallje. Çdo foto zvogëlohet dhe kthehet në WebP brenda shfletuesit tënd para se të niset, kështu që ngarkimi mbetet i shpejtë edhe me internet të dobët. Fotot burimore mbi 15 MB refuzohen.
Fotoja e parë bëhet kopertina. Gjatë plotësimit mund t'i tërheqësh për t'i rirenditur ose të shtypësh yllin për ta çuar një foto në krye.
Rirenditja dhe fshirja e fotove bëhen vetëm para publikimit. Më vonë fotot e reja shtohen në fund dhe të vjetrat nuk hiqen dot — nëse do t'i ndërrosh krejt, fshije shpalljen dhe publikoje sërish.
Çfarë llojesh çmimi ka?
- Çmim fiks — shifra që kërkon.
- I diskutueshëm — pranon negociata.
- Falas — ruhet si 0 dhe shfaqet «Falas».
- Me kërkesë — çmimi nuk shfaqet fare.
Monedhat e mbështetura janë euro (parazgjedhur), dollari dhe franga zvicerane.
Sa shpallje mund të hap në ditë?
Deri në 10 brenda 24 orëve për një llogari të zakonshme, 30 për një llogari të verifikuar dhe 50 për një llogari biznesi. Dritarja është rrëshqitëse — llogaritet nga çasti i çdo publikimi, jo nga mesnata.
Numëruesi nuk lirohet duke fshirë shpalljet e sapokrijuara.
Pse shpallja ime është «Në pritje» dhe nuk duket te kërkimi?
Shpalljet e llogarive të paverifikuara kalojnë nga moderimi para se të dalin publike. Derisa stafi ta aprovojë, shpalljen e sheh vetëm ti, te Profili → Shpalljet e mia.
Llogaritë e verifikuara dhe ato të biznesit publikojnë drejtpërdrejt, pa pritje.
Çfarë kuptimi ka secili status?
- Në pritje — po pret moderimin.
- Aktive — e dukshme për të gjithë.
- E shitur — mbetet e dukshme, me shenjë dhe në fund të rezultateve.
- E skaduar — kaluan 60 ditët; riaktivizohet me një klikim.
- E refuzuar — shkel ndonjë rregull publikimi.
- E arkivuar — e hequr nga ti ose nga moderimi.
Sa zgjat një shpallje?
60 ditë nga publikimi. Pas kësaj kalon në «E skaduar» dhe e rikthen nga menyja me tre pika te Shpalljet e mia.
Si e shënoj si të shitur, e arkivoj ose e fshij?
Të gjitha nga Profili → Shpalljet e mia → menyja me tre pika te shpallja përkatëse: «Shënoje si të shitur», «Arkivo», «Riaktivizo», «Ndrysho», «Promovo» dhe «Fshi përgjithmonë».
Fshirja është e pakthyeshme dhe merr me vete edhe bisedat që kishe për atë shpallje, për të dyja palët. Nëse do thjesht ta heqësh nga sytë, zgjidh «Arkivo».
E riaktivizova një shpallje — pse u kthye në «Në pritje»?
Sepse llogaria jote nuk është ende e verifikuar. Kthimi i një shpalljeje të arkivuar, të skaduar ose të refuzuar në gjendje publike kalon sërish nga moderimi. Përjashtim bën një shpallje e shënuar «E shitur»: ajo kthehet menjëherë në aktive.
Me llogari të verifikuar ose biznesi, riaktivizimi është i menjëhershëm.
A kalon nga moderimi sërish nëse e ndryshoj shpalljen?
Jo. Një shpallje aktive mbetet aktive pas ndryshimit dhe mund të ndryshosh gjithçka, përfshirë kategorinë.
Ndryshimi nuk e ngre shpalljen te «Më të rejat». Për ta rifreskuar pozicionin, arkivoje dhe riaktivizoje — por mbaj parasysh pyetjen e mësipërme për moderimin.
A ndryshon adresa e shpalljes kur ndryshoj titullin?
Jo. Adresa krijohet një herë, në publikim, dhe mbetet e njëjtë — lidhjet që ke dërguar te blerësit vazhdojnë të punojnë.
Ku e gjej numrin identifikues të shpalljes?
Te faqja e shpalljes, pranë datës, ka një kontroll që e kopjon identifikuesin në kujtesë. Bashkangjite kur raporton një problem — na kursen shumë kërkim.
Kërkimi dhe blerja
Si të gjesh shpejt atë që do: fjalë kyçe, filtra, hartë dhe të preferuara.
Si funksionon kërkimi me fjalë?
Kërkimi shikon titullin, qytetin dhe përshkrimin. Kur shkruan disa fjalë, të gjitha duhet të gjenden — «golf 7 naftë» kthen vetëm shpalljet ku ndodhen të tria.
- Thonjëzat kërkojnë frazën e plotë: "karrige zyre".
- Minusi përpara një fjale e përjashton atë: iphone -ekran.
- Fjalët duhen të plota — «makinat» nuk e gjen «makina».
A kanë rëndësi shkronjat ë dhe ç?
Po, dhe këshilla praktike është: shkruaj pa to. «celes» i gjen edhe shpalljet e shkruara «çelës», ndërsa forma me theks mund të mos i gjejë ato të shkruara pa të.
Cilët filtra kam në dispozicion?
- Çmimi — interval nga/deri, me rregullim automatik nëse i ngatërron.
- Vendndodhja — komuna ose i gjithë regjioni.
- Shitësi — persona privatë ose biznese.
- Gjendja — nga «I ri» te «Për pjesë».
- Të tjera — vetëm me foto, vetëm të promovuara.
- Detaje të kategorisë — vit, kilometrazh, sipërfaqe, memorie e të tjera, sipas kategorisë.
Filtrat e veçantë shfaqen vetëm pasi zgjedh një kategori — te «Automjete» dhe «Patundshmëri» duhet zgjedhur edhe nënkategoria.
A mund ta ruaj një kërkim me filtra?
Gjendja e kërkimit rri e tëra në adresën e faqes, prandaj mjafton ta ruash si faqerojtës ose ta dërgosh si lidhje — filtrat hapen tamam si i le.
Kërkime të ruajtura brenda llogarisë dhe njoftime me email për rezultate të reja ende nuk ofrojmë.
Si renditen rezultatet?
Ke gjashtë mundësi renditjeje: sipas përputhjes, më të rejat, më të vjetrat, çmimi rritës, çmimi zbritës dhe më të shikuarat. Shpalljet e promovuara qëndrojnë lart brenda rezultateve, ndërsa ato të shitura shtyhen në fund.
Në çdo faqe shfaqen 24 shpallje.
Si i ruaj shpalljet që më pëlqejnë?
Me zemrën te çdo shpallje. Lista jote e të preferuarave është krejtësisht private — asnjë shitës nuk e di se e ke ruajtur shpalljen e tij.
Ruajtja kërkon llogari; pa të, zemra të fton të hysh.
Ç'është harta e shpalljeve?
Një pamje e të 38 komunave me katër lente: dendësia e shpalljeve, çmimi mesatar, aktiviteti i fundit dhe moti. Mund të filtrosh sipas kategorisë, të krahasosh deri në tri komuna njëherësh dhe të kalosh me një klikim te rezultatet e asaj komune.
Pse nuk e gjej dot një shpallje që e pashë më parë?
Zakonisht sepse shitësi e ka shënuar të shitur ose e ka arkivuar, sepse i kaluan 60 ditët, ose sepse ishte ende në moderim kur e pe lidhjen. Te kërkimi shfaqen vetëm shpalljet aktive dhe ato të shitura.
A ruhen kërkimet e mia të fundit?
Gjashtë të fundit ruhen vetëm brenda shfletuesit tënd dhe nuk dërgohen kurrë te serveri. Nëse pastron të dhënat e shfletuesit, zhduken bashkë me to.
Mesazhet
Kontakti me shitësin, njoftimet dhe privatësia e numrit.
Si e kontaktoj shitësin?
Me butonin «Dërgo mesazh» te shpallja. Biseda hapet menjëherë dhe mbetet e lidhur me atë shpallje, kështu që të dy e dini gjithmonë për çfarë bëhet fjalë. Nëse shitësi ka lënë numrin, mund ta shohësh edhe atë.
Biseda hapet sapo shtyp butonin, edhe para se të shkruash gjë. Shitësi e sheh në listë, por email-i i njoftimit i shkon vetëm kur dërgon mesazhin e parë.
A i marr mesazhet menjëherë?
Po — biseda përditësohet drejtpërdrejt, pa e rifreskuar faqen, dhe numri i mesazheve të palexuara shfaqet te ikona në krye. Mesazhet e tua marrin shenjën «lexuar» kur pala tjetër e hap bisedën.
A marr email kur dikush më shkruan?
Po, një email për çdo bisedë të re — vetëm për mesazhin e parë. Për përgjigjet e mëpasshme nuk dërgojmë email, që kutia jote të mos mbytet.
A shfaqet numri im i telefonit te shpallja?
Vetëm nëse e shton vetë, dhe edhe atëherë shfaqet i maskuar derisa blerësi të shtypë «shfaq». Te hapi i fundit i shpalljes ke edhe kutinë «Fshihe numrin — prano vetëm mesazhe».
Kur e shënon atë kuti, numri nuk niset fare te faqja e shpalljes — as si buton telefoni, as si WhatsApp ose Viber. Prandaj ato dy kuti çaktivizohen sa kohë fshehja është aktive: lidhjet e tyre e çojnë blerësin te i njëjti numër.
Numri nuk fshihet nga llogaria jote — mbetet te faqja e ndryshimit dhe rikthehet te shpallja sapo ta heqësh shenjën.
Sa biseda dhe mesazhe mund të dërgoj?
Brenda 24 orëve mund të hapësh 20 biseda të reja me një llogari të zakonshme, 50 me llogari të verifikuar dhe 100 me llogari biznesi, me një kufi shtesë prej 15 bisedash brenda një ore. Mesazhet brenda bisedave janë të pakufizuara, deri në 30 në minutë.
Këta kufij ekzistojnë kundër spam-it; përdorimi normal nuk i prek.
A mund të dërgoj foto ose lokacionin tim?
Foto ende jo. Lokacionin po: butoni pranë fushës së shkrimit merr pozicionin tënd të çastit, ta tregon në një pamje paraprake dhe e dërgon vetëm pasi e konfirmon ti. Shkon si një lidhje harte — asgjë nuk niset para konfirmimit.
A mund të fshij një bisedë ose të bllokoj dikë?
Fshirja e bisedave dhe bllokimi i një përdoruesi ende nuk ofrohen. Nëse dikush të shqetëson, raporto shpalljen e tij — ekipi i moderimit ndërhyn te llogaria.
Bisedat për një shpallje zhduken automatikisht nëse ajo shpallje fshihet përgjithmonë.
A i lexon dikush bisedat e mia?
Bisedat i shohin vetëm ju të dy. Përjashtim bën ekipi i moderimit, që mund t'i shqyrtojë kur trajton një raportim ose një abuzim — kjo është e domosdoshme për të mbrojtur përdoruesit.
Siguria dhe raportimet
Çfarë ndodh kur diçka shkon keq — dhe si të mos shkojë fare.
Si raportoj një shpallje?
Te fundi i çdo shpalljeje ka lidhjen «Raporto shpalljen». Zgjedh një nga shtatë arsyet — mashtrim ose spam, produkt i ndaluar, çmim ose përshkrim i rremë, përmbajtje ofenduese, dublikat, kategori e gabuar, ose tjetër — dhe shton detaje nëse do.
Ekipi i moderimit e shqyrton çdo raportim brenda 24 orëve.
A e merr vesh shitësi se e raportova unë?
Jo. Raportimin e sheh vetëm ekipi i moderimit; pala e raportuar nuk njoftohet as për raportimin, as për autorin e tij. Raportimi kërkon llogari dhe bëhet një herë e vetme për të njëjtën shpallje.
Shpallja ime u refuzua — çfarë ndodhi?
Do të thotë se shkel ndonjë rregull publikimi: kategori e gabuar, foto që nuk i përkasin produktit, artikull i ndaluar ose i njëjti produkt i publikuar disa herë. Statusi «E refuzuar» duket te Profili → Shpalljet e mia, te skeda «Të gjitha».
Për refuzimet nuk dërgojmë email dhe nuk shfaqet arsyeja automatikisht. Nëse nuk e kupton pse, hap një tiketë me identifikuesin e shpalljes dhe ta shpjegojmë.
Si mbrohem nga mashtrimet?
- Takohu në vend publik dhe kontrollo produktin para se të paguash.
- Mos dërgo paradhënie, depozitë a «rezervim» te dikush që nuk e ke takuar.
- Mos jep kurrë kode verifikimi që të vijnë me SMS, as të dhëna bankare.
- Ruaji bisedat brenda platformës — janë provë nëse diçka shkon keq.
- Nëse çmimi është shumë nën treg dhe pala nxiton, ndalu.
Çfarë nuk lejohet të shitet?
Armë, drogë, medikamente me recetë, dokumente zyrtare, kafshë të mbrojtura, produkte të falsifikuara ose të vjedhura, përmbajtje për të rritur, të dhëna personale dhe skema investimi me fitim të garantuar. Lista e plotë është te rregullat e publikimit.
Verifikimi dhe biznesi
Si të fitosh besim, kufij më të lartë dhe publikim të menjëhershëm.
Përse t'i nënshtrohem verifikimit?
- Shpalljet e tua dalin publike menjëherë, pa pritur moderimin.
- Kufijtë ditorë rriten — 30 shpallje dhe 50 biseda në 24 orë.
- Pranë emrit tënd shfaqet shenja «I verifikuar», që blerësit e vërejnë.
Çfarë kërkohet për verifikim?
Emri i plotë, lloji dhe numri i dokumentit (letërnjoftim, pasaportë ose patentë), data e lindjes, telefoni, fotoja e dokumentit dhe një selfie.
Këto dokumente ruhen në një hapësirë private ku kanë qasje vetëm ti dhe ekipi që i shqyrton. Nuk shfaqen kurrë te profili publik dhe nuk u jepen palëve të treta.
Si bëhem llogari biznesi?
Fillimisht verifiko identitetin, pastaj plotëso aplikimin e biznesit: emri, veprimtaria, numri unik i biznesit (NUI/ARBK), komuna, telefoni dhe, nëse do, adresa, ueb-faqja dhe një përshkrim.
Pas aprovimit fiton shenjën «Biznes», del te filtri «Biznese» i kërkimit dhe ke kufij edhe më të lartë — 50 shpallje dhe 100 biseda në 24 orë.
Sa zgjat shqyrtimi i aplikimit?
Aplikimet i shqyrton stafi sa më shpejt. Mund të kesh vetëm një aplikim në pritje për çdo lloj dhe nuk tërhiqet dot pasi është dërguar.
Për vendimin nuk dërgojmë ende email — kthehu te faqja e aplikimit për ta parë. Nëse refuzohet, aty shfaqet arsyeja dhe mund të aplikosh sërish.
Paketat dhe pagesa
Promovimi i shpalljes: çfarë përfshin, sa kushton dhe si paguhet.
Sa kushtojnë paketat?
- Premium — 5 € për javë ose 15 € për muaj.
- Ultra — 50 € për javë ose 150 € për muaj.
Zgjedhja mujore kursen sa një javë krahasuar me katër javë të veçanta.
Çfarë përfshin secila paketë?
Premium i jep shpalljes pamje të artë me yll, vend të parë brenda kategorisë së saj dhe publikim në rrjetet tona sociale — një herë te paketa javore, katër herë te ajo mujore.
Ultra shton mbi këtë një pamje vjollcë me kurorë, renditje mbi shpalljet Premium, publikim në të gjitha rrjetet tona dhe një reklamë të paguar në Facebook.
Si paguaj?
Pagesa online ende nuk është aktive. Kur zgjedh një paketë, krijohet një porosi me statusin «Në pritje»; pastaj shtyp «Paguaj» te Profili → Porositë dhe hapet një tiketë e parambushur, ku suporti të udhëzon për pagesën dhe aktivizon paketën.
A mund ta anuloj një porosi?
Po, përderisa është ende «Në pritje» — butoni «Anulo» ndodhet te Profili → Porositë. Pasi porosia shënohet e paguar, anulimi bëhet vetëm përmes suportit.
Çfarë ndryshon vërtet me promovimin?
Shpallja ngrihet mbi të tjerat te rezultatet e kërkimit dhe te faqja e kategorisë, merr një shenjë që bie në sy dhe zë vend te rreshti «Shpallje të promovuara» i kryefaqes.
Promovimi nuk zëvendëson bazën: një shpallje me foto të errëta ose titull të paqartë nuk shitet më shpejt vetëm se qëndron lart.
A mund ta heq promovimin para se të mbarojë?
Po, nga menyja me tre pika te Shpalljet e mia. Por heqja është e menjëhershme dhe pa rimbursim — koha e mbetur humbet, prandaj bëje vetëm nëse je i sigurt.
Të dhënat dhe privatësia
Çfarë shohin të tjerët për ty dhe çfarë ruajmë ne.
Çfarë duket te profili im publik?
Fotoja, emri, emri i përdoruesit, shenjat e verifikimit ose të biznesit, vlerësimi, qyteti, numri i shpalljeve, data kur u bëre anëtar, përshkrimi yt dhe shpalljet aktive e të shitura.
Email-i dhe numri i telefonit nuk shfaqen kurrë te profili.
A i shisni të dhënat e mia?
Jo. Të dhënat nuk u shiten palëve të treta dhe nuk përdoren për reklama të personalizuara jashtë platformës.
Çfarë cookie-sh përdorni?
Vetëm ato të nevojshme: mbajtja e hyrjes, preferencat si tema e errët dhe mbrojtja nga kërkesat e falsifikuara. Zgjedhjen tënde e ndryshon kurdo me «Menaxho cookies» te fundi i faqes.
Si i marr ose i fshij të dhënat e mia?
Hap një tiketë ndihme dhe përcakto çfarë kërkon — një kopje të të dhënave, korrigjim ose fshirje. Përgjigjemi brenda afateve të përcaktuara te politika e privatësisë.
Nuk e gjete përgjigjen?
Hap një tiketë dhe përgjigjemi aty — biseda mbetet e ruajtur te llogaria jote, që të mos e përsërisësh historinë çdo herë.